Protestojnë radio-taksitë në Prishtinë

  • A.P /
  • 10 July 2020 - 11:12
Protestojnë radio-taksitë në Prishtinë

Shoqata e Radio Taksive “Pasagjeri” ka organizuar protestë për shkak të mosplotësimit të kërkesave nga Komuna e Prishtinës.

Nën përcjelljen e Policisë, mbi 30 vetura të radio taksive janë nisur nga lagjja Ulpiana drejtë Komunës së Prishtinës.

Aty e vendosën një pankartë më mbishkrimin “Edhe sa duhet me protestuar për një takim me ty Shpend Ahmeti”.

Agron Krasniqi avokat, tha se kanë kërkuar që të takohen me kryetarin Shpend Ahmeti për t’i prezantuar kërkesat e tyre, të cilat i konsiderojnë si legjitime.

“Kjo është protesta e tretë më radhë e organizuar me qëllimin e vetëm që fillimisht të kemi një takim me kryetarin Shpend Ahmeti për t’i prezantuar kërkesat tona të cilat janë legjitime edhe publike deri më tani”, tha ai.

E për kërkesat që kanë si Shoqatë e Radio Taksive “Pasagjeri”, foli Ardit Thaqi, i cili është edhe pronar i kompanisë “City Taxi”.

“Arsyeja e protestës sonë është arsyeja që po hasim në radio taksitë e Komunës së Prishtinës dhe mungesa e gatishmërisë së komunës për të gjetur një zgjidhje të këtyre problemeve. Kërkesat janë këto: të ndalet aktivitetet e taksive ilegal në Prishtinë, të mos lëshohen licenca të reja deri në zgjidhjen e rregullores së Prishtinës siç po lëshojnë leje ‘pas dore’”.

“Ne në protestën e kaluar kemi premtuar se kjo protestë do të jetë masive, por duke marrë parasysh situatën me pandeminë, po mundohemi që të jemi pak më të qetë. Nuk e di a është në dijeni Shpend Ahmeti për parregullsitë që po bëhen në Komunën e Prishtinës me katër kompani të cilët kinse janë të licencuara e që operojnë në Prishtinë. E di Komuna se për cilat kompani operojnë në Prishtinë pa licencë”, tha ai.

Ata e bënë edhe kërkesën e pestë më radhë për t’u takuar me kreun e Prishtinës.

(Kosova Sot Online)