Këto janë statistikat e kurorëzimeve në Kosovë - ja cilat mosha dominojnë

  • A.P /
  • 10 July 2020 - 11:39
Këto janë statistikat e kurorëzimeve në Kosovë - ja cilat mosha dominojnë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Kurorëzimeve në Kosovë 2019”. Të dhënat në këtë publikim si bazë kanë të dhënat administrative të marra nga zyrat e gjendjes civile të Kosovës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në vitin 2019 janë grumbulluar gjithsej 18 757 fleta statistikore për kurorëzime, DEM-3. Këto të dhëna tregojnë se në Kosovë në vitin 2019 janë kurorëzuar 17 577 qifte-bashkëshortore.

Të kurorëzuar sipas përkatësisë etnike: shqiptare janë 95.5% femra dhe 96.7% meshkuj; serbe janë 0.5% femra dhe 0.5% meshkuj; turke 0.4% femra dhe 0.5% meshkuj; boshnjake janë 1.0% femra dhe 0.4% meshkuj; rome, ashkalike dhe egjiptiane janë 1.1% femra dhe 1.1% meshkuj; kurse me përkatësi tjetër etnike janë 1.5% femra dhe 0.4% meshkuj.

Mosha mesatare e të martuarve ishte 29.5 vjeçare. Prej tyre, mosha mesatare e meshkujve ishte 31 vjeç, ndërsa mosha mesatare e femrave ishte 28 vjeçe.

Sipas grup-moshave, dominojnë kurorëzimet te femrat e moshës 20-24 vjeçare me 5 750 kurorëzime, ose 32.7%. Ndërsa, te meshkujt dominon mosha 25-29 vjeçare me 5 663, ose 32.2%.

Numri më i madh i kurorëzimeve ishin në komunën e Prizrenit (1 646 kurorëzime), ose 8.8%; në komunën e Prishtinës (1 364 kurorëzime), ose 7.3%; në komunën e Ferizajt (1 123 kurorëzime), ose 6.0%, etj.

Sipas përgatitjes shkollore, dominojnë femrat dhe meshkujt me shkollë të mesme, ku numri i femrave të kësaj kategorie ishte 10 757, ose 61.2% dhe numri i meshkujve ishte 11 983, ose 68.2%.

(Kosova Sot Online)