Varhelyi: Është detyra jonë që ta kujtojmë Srebrenicën përgjithmonë

  • A.P /
  • 10 July 2020 - 12:04
Varhelyi: Është detyra jonë që ta kujtojmë Srebrenicën përgjithmonë

Varhelyi: Është detyra jonë që ta kujtojmë Srebrenicën përgjithmonë

Evropa dështoi në Srebrenicë dhe ne ndjehemi të turpëruar, tha komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.

Duke folur të premten para Parlamentit Evropian, Varhelyi tha se “gjenocidi në Srebrenicë mbetet një plagë e hapur në zemër të Evropës”.

“Ajo vazhdon të na ndjekë. Vazhdon të na kujtojë përgjegjësinë tonë të përbashkët për të parandaluar që gjenocidi të ndodhë përsëri. Prandaj, është detyra jonë që ta kujtojmë Srebrenicën përgjithmonë”, tha Varhelyi.

Komentet vijnë në prag të 25-vjetorit të masakrës, që shënohet të shtunën.

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë, zonën që ishte e shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar në vitin 2007 se vrasjet në Srebrenicë kanë përbërë gjenocid.

Gjykata e Kombeve të Bashkuara për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi ka dënuar ish-komandantin e forcave serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, dhe mentorin e tij politik, Radovan Karaxhiq, për gjenocid dhe krime të tjera të luftës në Srebrenicë.

“Është po ashtu detyra jonë që të sigurojmë dhënien e përgjegjësisë. Drejtësia duhet të vihet dhe të gjithë ata që janë përgjegjës për masakrën, duhet të përballen me pasojat e veprimeve të tyre. Njëzetepesë vjet më vonë, është më urgjente se kurrë që t’i jepet fund mosndëshkimit për kryerësit e krimeve të luftës”, tha Varhelyi para Parlamentit Evropian.

Në një postim në Twitter, ai tha se përmes procesit të pranimit, “BE-ja do të vazhdojë ta shoqërojë Ballkanin Perëndimor drejt pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal, për të ndërtuar një të ardhme paqësore dhe të begattë për të gjithë njerëzit e rajonit”.

(Kosova Sot Online)