40 të infektuar me COVID-19 kanë humbur jetën gjatë 10 ditëve të fundit – për të vdekurit s’po jepen detaje

  • E.K /
  • 10 July 2020 - 17:44
 40 të infektuar me COVID-19 kanë humbur jetën gjatë 10 ditëve të fundit – për të vdekurit s’po jepen detaje

Numri i vdekjeve nga koronavirusi në vend është rritur dukshëm ditëve të fundit. Brenda vetëm 10 ditëve, kanë vdekur 40 persona të infektuar, por që thuhet se kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese. Mosha mesatare e viktimave ende nuk dihet.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik mbrëmë njoftoi se janë konfirmuar 207 raste të reja me koronavirus dhe se janë regjistruar tetë vdekje në 24 orët e fundit.

Përvec numrit të përgjithshëm të vdekjeve, në njoftim nuk kishte asnjë detaj tjetër rreth viktimave. As iniciale, as moshë e as informacione se prej cilës komunën janë.

Këtë praktikë, IKSHP’ja është duke e përdorur gati qe një javë. Express ka kërkuar detaje rreth moshës së viktimave, sëmundjeve të tjera shoqëruese që kanë pasur, por në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se për t’i mbledhur këto të dhëna iu duhet kohë.

Nga fillimi i pandemisë e deri tash, janë konfirmuar 4 mijë e 307 raste pozitive me COVID-19, me gjithsej 94 raste të vdekjeve, e që sipas MSH’së, shumica prej viktimave kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Komunat me më së shumti viktima janë Prizreni, Prishtina, Peja, Rahoveci, Mitrovica e Jugut dhe Mamusha. Vetëm në këto komuna, janë regjistruar 52 vdekje deri tash.

Ndërkohë, numri i rasteve aktive shkon në mbi 2 mijë e 100. Me më së shumti raste aktive renditen Prishtina, Vushtrria, Prizreni, Ferizaj, Gjilani dhe Peja.

(Kosova Sot Online)