Trumpi ia zbut dënimin mikut të vjetër, e shpëton nga burgu

  • S.A /
  • 11 July 2020 - 09:18
Trumpi ia zbut dënimin mikut të vjetër, e shpëton nga burgu

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ia ka zbutur dënimin mikut të tij të vjetër dhe ish-këshilltarit për fushatë, Roger Stone, i cili ishte dënuar me tri vjet e katër muaj burgim për krime të lidhura me hetimet për ndërhyrjet e Rusisë.

Njoftimin për zbutjen e dënimit e dha Shtëpia e Bardhë përmes një deklarate të lëshuar të premten në mbrëmje. “Roger Stone tashmë ka vuajtur shumë. Ai është trajtuar në mënyrë shumë të padrejtë, siç janë trajtuar edhe shumë të tjerë në këtë rast. Roger Stone tash është një njeri i lirë”, thuhet në deklaratë.

Stone, 67 vjeç, u dënua në nëntor të vitit të kaluar për pengimin e hetimeve të Kongresit për atë nëse zyrtarët e fushatës së Trumpit kishin bashkëpunuar me Rusinë për t’i fituar zgjedhjet e vitit 2016. Dënimi prej 40 muajsh burgim iu caktua në shkurt dhe ishte planifikuar që të shkonte në burg të martën.

Me një gjuhë të ngjashme me atë që e përdor presidenti Trump në rrjete sociale dhe në fjalime, në deklaratën zyrtare të Shtëpisë së Bardhë sulmohet e ashtuquajtura “gjueti e shtrigave”, e udhëhequr, sipas deklaratës, nga hetuesi special, Robert Mueller, i cili ishte duke e hetuar ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Ndonëse nuk ishte i papritur, vendimi i presidentit Trump për ta shpëtuar mikun e vet nga burgu vetëm sa do ta rrisë alarmin në mesin e kritikëve të shqetësuar se administrata amerikane ka ndërhyrë në sistemin e drejtësisë për ta mbrojtur kreun e Shtëpisë së Bardhë dhe miqtë e tij.

Në shkurt, Trump ia kishte zbutur dënimin prej 14 vjetësh burgim ish guvernatorit të shtetit Illinois, Rod Blagojevich, i akuzuar për përpjekje për shitje të ulëses së Senatit, që kishte mbetur e lirë nga Barack Obama.

(Kosova Sot Online )