Deliu: Të kërkosh zgjedhje në pandemi, është t’i bashkohesh ftesave për injorim

  • A.P /
  • 12 July 2020 - 15:04
Deliu: Të kërkosh zgjedhje në pandemi, është t’i bashkohesh ftesave për injorim

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu, ka thënë se situata e krijuar me pandeminë kërkon reagim të shpejtë dhe efikas të institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e shëndetit publik.

“Kosova, fatkeqësisht radhitet në vendin e tretë me numrin e rasteve të infektuar nga coronavirusi. Situata e krijuar me pandeminë kërkon reagim të shpejtë dhe efikas të institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e shëndetit publik. Nëse kjo shifër nuk na alarmon për t’i respektuar udhëzimet nga profesionistët shëndetësor dhe institucionet përkatëse, pasojat do të jenë të pariparueshme dhe të dhimbshme për një kohë të gjatë”.

“Në këtë gjendje alarmuese për shëndetin e përgjithshëm publik, së fundi kemi dëgjuar edhe thirrje për mbajtje të zgjedhjeve”.

Deliu ka thënë se jeta e qytetarit vlen përtej një vote.

“Të kërkosh zgjedhje në këtë trend të përhapjes së infeksionit me virusin corona, është t’i bashkohesh ftesave për injorim të rekomandimeve profesionale dhe t’i takosh grupeve që për një kalkulim të ulët përfitues bëjnë ballë të shkelin mbi çdo gjë”.

“I vetmi fokus i institucioneve për momentin mbetet ulja e shkallës së infeksionit dhe menaxhimi i pasojave të pandemisë për t’u siguruar qytetarëve mbrojtje dhe mirëqenie të dinjitetshme gjatë përballjes me COVID-19”, ka shkruar Deliu në rrjetin social Facebook.

(Kosova Sot Online)