Papa thotë se ndien shumë dhimbje që muzeu “Hagia Sophia” po shndërrohet në xhami

  • A.P /
  • 12 July 2020 - 16:18
Papa thotë se ndien shumë dhimbje që muzeu “Hagia Sophia” po shndërrohet në xhami

Papa Françesku ka thënë të dielën se ndihet i lënduar nga vendimi i Turqisë për ta shndërruar muzeun “Hagia Sophia” në Stamboll në xhami. Këtë vendim e kanë dënuar edhe disa prijës të tjerë fetarë.

“Mendimet e mia shkojnë në Stamboll. Mendoj për Santa Sophia-n dhe ndiej shumë dhimbje”, tha Papa Françesku gjatë fjalimit javor, të mbajtur në Sheshin “Shën Pjetri”, shkruan “Reuters”,

Presidenti turk, Rexhep Erdogan, ka thënë se lutjet e para në “Hagia Sophia” do të bëhen më 24 korrik, pasi e shpalli xhami monumentin e lashtë edhe një herë pas një vendimi të gjykatës, me të cilën objektit i largohej statusi i muzeut.

Ndryshe, Këshilli Botëror i Kishave i ka bërë thirrje Erdoganit që ta tërheqë vendimin e tij, ndërsa patriarku Bartolomeu, udhëheqësi botëror i ortodoksëve, e cilësoi këtë vendim si dëshpërues.

Kreu i shtetit turk ka deklaruar se objekti i vjetër 1,500 vjet, që dikur ishte katedrale, do të mbetet i hapur për myslimanët, të krishterët dhe të huajt.

Ai shtoi se Turqia e ka ushtruar të drejtën e saj sovrane për shndërrimin e objektit në xhami dhe kritikat për këtë vendim do t’i interpretojë si sulme ndaj pavarësisë së shtetit.

(Kosova Sot Online)