Dramë në Poloni, rezultat shumë i ngushtë në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale

  • A.P /
  • 13 July 2020 - 08:59
Dramë në Poloni, rezultat shumë i ngushtë në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale

Një garë shumë e ngushtë është duke u zhvilluar gjatë numërimit të votave për rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Poloni, ku sipas exit poll-it, presidenti i tanishëm, Andrzej Duda, i ka marrë 51 për qind të votave, ndërsa kryetari i Varshavës, Rafal Trzaskowski i ka fituar 49 për qind.

Të dhënat e publikuara rreth orës 2 pas mesnate janë të bazuara në informatat në exit poll, të kombinuara me rezultatin zyrtar të 90 për qind të qendrave të votimit që u përfshinë në sondazh, shkruan “The Guardian”.

Të dy kandidatët mbajtën fjalime të dielën në mbrëmje duke shprehur besim se kanë fituar. “Të gjitha votat duhet të numërohen, që në të vërtetë, do ta bëjë mbrëmjen e mundimshme për të gjithë në Poloni. Por unë jam absolutisht i bindur se kur ta numërojmë secilën votë, ne do të jemi fitimtarë dhe ne përfundimisht do të fitojmë”, tha kryetari liberal i Varshavës, Rafal Trzaskowski.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve po vlerësohet si jetik për të ardhmen e shtetit të Evropës Qendrore dhe marrëdhënieve të tij me pjesën tjetër të kontinentit. Duda është aleat i partisë në pushtet dhe fitorja e mundshme e tij do t’ia mundësonte partisë “Ligj dhe Drejtësi” kontrollin në shumicën e niveleve të pushtetit për disa vjet.

Rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Poloni u mbajt më 28 qershor dhe në garë morën pjesë 11 kandidatë. Duda i kishte fituar 43.5 për qind të votave, ndërsa Trzaskowski 30.5 për qind.

(Kosova Sot Online)