Zyrtare: Presidenti i deritashëm i Polonisë, Andrzej Duda, fiton edhe një mandat

  • A.P /
  • 13 July 2020 - 09:21
Zyrtare: Presidenti i deritashëm i Polonisë, Andrzej Duda, fiton edhe një mandat

Komisioni Kombëtar i Zgjedhjeve në Poloni ka njoftuar se presidenti i deritashëm i Polonisë, Andrzej Duda, i ka fituar 51.2 për qind të votave në balotazhin e mbajtur të dielën, duke e siguruar edhe një mandat në krye të vendit.

Sipas këtij komisioni, kandidati tjetër, Rafal Trzaskowski, i ka fituar 48.8 për qind të votave. Komisioni tha se disa vota që nuk janë numëruar ende nuk pritet ta ndryshojnë rezultatin përfundimtar, shkruan “The Guardian”.

Duda ka premtuar se do t’i mbrojë vlerat familjare në dëm të të drejtave të komunitetit LGBT dhe shpesh ka përdorur retorikë homofobike. Fitorja e tij do t’i mundësojë partisë në pushtet kontroll në shumicën e niveleve të qeverisjes.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve është vlerësuar si jetik për të ardhmen e shtetit të Evropës Qendrore dhe marrëdhënieve të tij me pjesën tjetër të kontinentit.

Rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Poloni u mbajt më 28 qershor dhe në garë morën pjesë 11 kandidatë. Duda i kishte fituar 43.5 për qind të votave, ndërsa Trzaskowski 30.5 për qind.

(Kosova Sot Online)