Turkmenistani thotë se s’ka raste me Covid-19, por rekomandon maska dhe distancë

  • A.P /
  • 13 July 2020 - 10:29
Turkmenistani thotë se s’ka raste me Covid-19, por rekomandon maska dhe distancë

Turkmenistani u ka rekomanduar banorëve të vet që të përdorin maska, por jo për shkak të koronavirusit. Ky shtet nuk e ka deklaruar zyrtarisht asnjë rast të personave të infektuar me virusin e ri dhe ka thënë se rekomandimin për përdorimin e maskave e ka dhënë për shkak të pluhurit të madh.

Ky njoftim erdhi pasi një delegacion i Organizatës Botërore të Shëndetësisë arriti në shtetin e Azisë Qendrore javën e kaluar për një mision dhjetëditor, me ç’rast do ta hulumtojnë përgjigjen e autoriteteve ndaj pandemisë.

Turkmenistani është në mesin e pak shteteve që ende nuk e ka raportuar asnjë rast të personave të prekur nga Covid-19, ndonëse i ka rreth gjashtë milionë banorë, shkruan “The Guardian”, 

Në një deklaratë të publikuar nga agjencia shtetëore e informacionit, Ministria e Shëndetësisë tha se njerëzit duhet të vendosin maska për shkak të koncentrimit të lartë të pluhurit në ajër.

“Rekomandohet fuqishëm që secili të përdorë pajisje personale mbrojtëse për ta mbrojtur traktin e sipërm respirator”, tha kjo ministri.

Nga qytetarët u kërkua gjithashtu mbajtja e distancës fizike prej së paku një metër, por nuk u dhanë sqarime pse kërkohet një gjë e tillë.

Zyrtarët kërkuan gjithashtu që njerëzit të mos qëndrojnë shumë afër kondicionerëve të ajrit pasi të kenë qëndruar jashtë, ku temperaturat gjatë verës vazhdimisht janë mbi 40 gradë.

(Kosova Sot Online)