Ky shtet mbyll shkollat një javë pas rihapjes për shkak të shtimit të rasteve të virusit

  • A.P /
  • 13 July 2020 - 12:42
Ky shtet mbyll shkollat një javë pas rihapjes për shkak të shtimit të rasteve të virusit

Sri-Lanka deri më tani i ka raportuar vetëm 11 viktima të koronavirusit, por vendi aziatik u detyrua t’i mbyllë shkollat vetëm një javë pas rihapjes për shkak të rritjes së numrit të rasteve.

Ministria e Arsimit tha se situata do të vlerësohet përsëri javën e ardhshme, që do të thotë se shkollat mund të hapen përsëri, nëse përmirësohet situata.

Deri më tani, Sri-Lanka i ka regjistruar 2,617 raste të personave të infektuar me koronavirus, por gjenerali Shavendra Silva tha se gati gjysma e 1,100 banorë dhe pjesëtarë të stafit të një qendre për personat e varur nga substancat narkotike afër kryeqytetit kanë dalë pozitiv në testin për koronavirus javën e kaluar.

Përpos tyre, ai tha se me koronavirus mund të jenë infektuar edhe disa vizitorë, shkruan “The Guardian”.

Partia në pushtet i ka anuluar tubimet para zgjedhjeve parlamentare të muajit të ardhshëm dhe e ka shtyrë rihapjen e aeroportit ndërkombëtar, që ishte planifikuar të bëhej në fillim të gushtit.

Qeveria gjithashtu e pezulloi programin për riatdhesim, me të cilin deri më tani në atdhe janë kthyer rreth 12,000 persona që ndodheshin jashtë vendit.

(Kosova Sot Online)