Komuna e Lutfi Hazirit nuk pajtohet me vendimin e Qeverisë që të futet në karantinë

  • E.K /
  • 13 July 2020 - 16:43
 Komuna e Lutfi Hazirit nuk pajtohet me vendimin e Qeverisë që të futet në karantinë

Arbër Ismajli, nënkryetar i Gjilanit, përmes një postimi të bërë në Facebook, ka bërë të ditur se sot është mbajtur mbledhja e radhës me ekipin e Qendrës Operative Emergjente në lidhje me pandeminë COVID-19.

Ai ka bërë të ditur se nga numri total i të infektuarve në këtë komunë e që është 285, aktive janë 126.

Ndërsa vendimin e qeverisë për futjen e Gjilanit në karantinë e ka konsideruar të ngutshëm.

Ky është postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Nga takimi i sotëm i ekipit të Qendrës Operative Emërgjente, u vlerësua gjendja aktuale në komunën tonë, si dhe u diskutuan masat shtesë që ka ndërmarrë Qeveria e Republikës.

Deri më tani, numri i përgjithshëm i të infektuarve nga Komuna e Gjilanit është 285 raste. Nga këto raste, të shëruar kemi 155 raste, të vdekur 4 raste, ndërsa, raste aktive kemi gjithsej 126. Ne, si institucione jemi pranë çdo të prekuri, duke u përkujdesur për ta, deri në shërimin e plotë të tyre.

Ndërsa, vendimi i Qeverisë së Republikës, për futjen e Komunës së Gjilanit në karantinë, konsiderojmë që është vendim i ngutshëm dhe jo i menduar mirë, pasi që, do të sjellë pasoja të rënda socio-ekonomike për qytetarët tanë.

Vendime të tilla, nuk janë të mirëseardhura edhe për bizneset, ku do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në vështirësimin e gjendjes financiare të operimit të tyre, e rrjedhimisht, deri tek ndërprerja përfundimtare e operimit.

(Kosova Sot Online)