Sulmohet sigurimi i Spitalit të Gjakovës, nuk i lejoi tre persona që të vizitojnë pacientin pas orës 21:00

  • E.K /
  • 13 July 2020 - 17:14
 Sulmohet sigurimi i Spitalit të Gjakovës, nuk i lejoi tre persona që të vizitojnë pacientin pas orës 21:00

Një pjesëtar i sigurimit të Spitalit të Përgjithshëm në Gjakovë është sulmuar fizikisht mbrëmë nga tre qytetarë. Detaje rreth këtij rasti ka dhënë Drejtori i Spitalit, Hilmi Shala.

Shala ka thënë se sigurimi është sulmuar meqenëse nuk i ka lejuar që të hyjnë brenda tre persona, të cilët donin që ta vizitonin një të hospitalizuar pas orës 21:00.

“Kanë ardh tre persona me hy brenda në ora 21:30 dhe sigurimi nuk i ka lejuar sepse rreptësisht ndalohen vizitorët në këtë kohë. Policia ka marrë masa menjëherë”, ka thënë Shala për Express.

Për rastin në fjalë janë dhënë detaje edhe në faqen zyrtare të Spitalit, në Facebook.

“Me datën 12.07.2020, rreth orës 21.30, është fyer, ofenduar dhe është sulmuar fizikisht në vendin e punës një stafi i sigurimit te spitalit,nga ana e disa qytetarëve. Personi i sulmuara ka pësuar lëndime trupore. Rasti në fjalë është njoftuar në polici dhe presim që të ndërmerren veprimet e nevojshëm nga organet kompetente”, thuhet në njoftim.

Menaxhmenti i Spitalit e ka dënuar ashpër këtë sulmin, duke uruar që raste si ky mos të përsëriten më asnjëherë.

“Menaxhmenti i Spitalit dënon ashpër sulmin duke uruar që raste si ky mos të përsëriten më asnjëherë. Si dhe mbështet punën e pa lodhshme të personelit që janë duke e kryer edhe përkundër sfidave tepër të mëdha në këtë kohë te Pandemisë”, thuhet në njoftimin e Spitalit.

(Kosova Sot Online)