Shpërthen konflikti, disa ushtarë të vrarë në kufirin mes Armenisë dhe Azerbajxhanit

  • A.P /
  • 14 July 2020 - 08:44
Shpërthen konflikti, disa ushtarë të vrarë në kufirin mes Armenisë dhe Azerbajxhanit

Disa ushtarë të Azerbajxhanit janë vrarë dhe disa ushtarë e policë armenë janë plagosur gjatë përleshjeve të armatosura përgjatë kufirit të këtyre dy vendeve. Lajmin e kanë konfirmuar zyrtarët e të dyja shteteve, të cilët kanë hedhur akuza të ndërsjella për shkelje të territorit nga pala tjetër.

Dy ish-republikat sovjetike për një kohë të gjatë kanë qenë në konflikt për shkak të kufirit, kryesisht në rajonin me shumicë armene, Nagorno-Karabakh, ndonëse përleshjet e reja ndodhën rreth rajonit Tavush, në verilindje të Armenisë.

Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se katër ushtarë të këtij vendi janë vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Armenisë njoftoi se tre ushtarë dhe dy policë të saj janë plagosur gjatë përleshjeve, shkruan “Reuters”.

Shkëmbimet e zjarrit filluan të dielën dhe vazhduan të hënën. Shtetet e akuzuan njëra tjetrën për shkelje të armëpushimit dhe bombardime.

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, e akuzoi udhëheqësinë armene për provokim.

Në anën tjetër, kryeministri armen, Nikol Pashinyan, tha se liderët e Azerbajxhanit do të jenë përgjegjës për, siç tha ai, pasojat e paparashikueshme të destabizilimit rajonal.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Departamenti i Shtetit i ShBA-së u bënë thirrje palëve që të heqin dorë menjëherë nga dhuna dhe të bëjnë përpjekje për zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve që kanë mes vete.

(Kosova Sot Online)