Derisa punëtorët e sektorit privat po i presin 170 euro, ka punëtorë nga sektori publik që u paguan pa dalë fare në punë

  • A.P /
  • 14 korrik 2020 - 11:17
Derisa punëtorët e sektorit privat po i presin 170 euro, ka punëtorë nga sektori publik që u paguan pa dalë fare në punë

Ministria e Zhvillimit Ekonomik në krye me ish-ministrin Valdrin Lluka, gjatë tërë vitit 2019 kishte paguar mbi 92 mijë euro për pagat e 18 punëtorëve të së ashtuquajturës “Mbrojtje Civile” pa dalë fare në punë asnjë ditë.

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e saj të publikuar së fundmi, për auditimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për vitin 2019, ka hasur në disa parregullsi në vijueshmërinë e disa punëtorëve të kësaj ministrie ndonëse pagesat mujore për ta ishin bërë me rregull.

Si pasojë e kësaj mosvijueshmërie në punë të këtyre 18 punëtorëve, buxheti i shtetit ishte dëmtuar gjithsej me 92 mijë e 708 euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Këta pjestarë të “Mbrojtjes Civile” ishin të punësuar me akt emërime në MZHE, mirëpo ministria në fjalë nuk ka qenë në gjendje t’ia paraqesë as edhe një dëshmi të vetme ZKA-së për ta konfirmuar prezencën e këtyre punëtorëve në vendin e punës për vitin 2019, edhe pse ajo kishte vazhduar t’ua bëjë pagesat e rregullta për gjatë tërë vitit. E njëjta gjendje ishte raportuar edhe në vitin 2018 nga raportet e Auditorit për këtë ministri.

Sipas MZHE-së, kjo kishte ndodhur për shkak të mungesës së hapësirave të punës me ç’rast zyrtarët kanë mbetur të paangazhuar dhe pa vijuar punën. Ky ishte edhe arsyetimi i kësaj ministrie dhënë për ZKA-në, rreth mosvijueshmërisë në punë të këtyre zyrtarëve.

Në fund, Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që ministri duhet të sigurojë se po bëhet monitorimi i rregullt i vijueshmërisë në punë për të gjithë punonjësit e ministrisë dhe në rastet e mos respektimit të orarit të punës të merren masa konkrete siç parashihen me kornizën e aplikueshme ligjore. 


(Kosova Sot Online)