Kosova e Serbia i kanë dakorduar temat për takimin e së enjtes në Bruksel por nuk i bëjnë publike

  • A.P /
  • 14 July 2020 - 11:21
Kosova e Serbia i kanë dakorduar temat për takimin e së enjtes në Bruksel por nuk i bëjnë publike

Kosova dhe Serbia të enjten do të përballen në tavolinë të dialogut me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Pas video konferencës që u zhvillua të dielën, takimi i kësaj jave do të jetë i pari kokë më kokë mes liderëve të dyja shteteve, pas dy vite pauzë në bisedime. BE ka njoftuar se agjenda e takimit është caktuar, megjithatë, të pyetur  të njëjtën nuk e kanë bërë publike.

Pas Samitit të ndërmjetësuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel e presidenti Francës Emmanuel Macron, si dhe takimit virtual që kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti pati me presidentin serb Aleksandër Vuciq me ndërmjetësimin e  BE’së të dielën, Prishtina dhe Beogradi do të kthehen këtë javë në tryezë të dialogut.

Ky është takimi i parë i drejtpërdrejtë që do të mbahet pas heqjes së taksës dhe reciprocitetit, pas dy vitesh prej kur ky proces është pezulluar, si dhe pas dështimit të takimit të caktuar nga emisari i SHBA’së në dialog Richard Grenell.

Në Bashkimin Evropian kanë bërë të ditur  se të dielën Kosova dhe Serbia janë dakorduar për agjendën e takimit që do të mbahet këtë javë.

Megjithatë, nga BE thonë se nuk mund të ndajnë detaje për agjendën, përvec, atyre që ka deklaruar në konferencën e së dielës emisari Miroslav Lajcak.

“Si rezultat i takimit të sotëm ne u pajtuam për elementet kryesore të procesit. Ne gjithashtu u pajtuam për agjendën e takimit tjetër që do të zhvillohet në Bruksel këtë të enjte”, kishte deklaruar Lajcak.

As në Qeverinë e Kosovës nuk kanë pranuar që të japin detaje lidhur me atë se cilat do të jenë pikat kryesore të diskutimit në Bruksel, megjithatë, kryeministri Hoti e ka përgatitur ekipin me të cilin do shkojë në dialog.

Njëri ndër ta është edhe ministri i Drejtësisë, Selim Selimi që sot ka deklaruar se Kosova do të dialogojë duke ruajtur sistemin unitar dhe integritetin territorial.

Për takimin e radhës Kosovë – Serbi ka folur edhe presidenti serb, Aleksandër Vuciq, duke thënë se agjenda është dakorduar.

(Kosova Sot Online)