Foshnja e porsalindur infektohet me Covid-19 në mitrën e nënës

  • A.P /
  • 14 July 2020 - 12:35
Foshnja e porsalindur  infektohet me Covid-19 në mitrën e nënës

Mjekët në Francë e kanë raportuar atë që e kanë cilësuar si rastin e parë të dëshmuar të përhapjes së koronavirusit nga nëna te fëmija para lindjes.

Foshnja e gjinisë mashkullore pësoi inflamacion të trurit disa ditë pas lindjes dhe kjo iu shkaktua pasi virusi e kaloi placentën dhe krijoi infeksion para lindjes. Sidoqoftë, për fat të mirë, foshnja është në gjendje të mirë dhe është përmirësuar.

Ky rast, i publikuar në revistën “Nature Communications”, vjen pas lindjes së disa foshnjave me Covid-19, për të cilat mjekët kanë dyshuar se infeksionin e kanë marrë para lindjes, shkruan “The Guardian”.

“Për fat të keq, nuk ka dyshime për infeksionin në këtë rast. Mjekët duhet të jenë të vetëdijshëm se kjo mund të ndodhë. Nuk është e zakonshme, sigurisht, por mund të ndodhë dhe duhet të merret parasysh në punën klinike”, tha Dr.Daniele De Luca, drejtor i Pediatrisë në një spital të Parisit.

Nëna 23-vjeçare që e lindi djalin e infektuar me koronavirus ishte dërguar në spital më 24 mars për shkak të temperaturës së lartë dhe kollës së ashpër pas infektimit me koronavirus.

Pas testimit të gjakut dhe lëngjëve në mushkëritë e foshnjës, mjekët e vërtetuan infeksionin. Pas testimeve më të hollësishme, u zbulua se virusi ishte përhapur nga gjaku i nënës në placentë, ku është riprodhuar dhe ka shkaktuar infeksion.\

(Kosova Sot Online)