ShBA-ja ekzekuton të dënuarin për vrasjen e një familjeje tre anëtarëshe

  • A.P /
  • 14 July 2020 - 15:21
ShBA-ja ekzekuton të dënuarin për vrasjen e një familjeje tre anëtarëshe

Autoritetet e drejtësisë në Shtetet e Bashkuara e kanë kryer ekzekutimin e parë në nivel federal të një të burgosuri, për herë të parë që nga viti 2003.

Personi i ekzekutuar ishte dënuar me vdekje pasi ishte shpallur fajtor për vrajsen e një familjeje me tre anëtarë në vitin 1996 në Arkansas pasi synonte të krijonte popullsi të përbërë vetëm nga të bardhët.

Daniel Lewis Lee, 47 vjeç, nga Oklahoma, u ekzekutua me injeksion vdekjeprurës në një burg federal në Indiana, shkruan “The Guardian”

“Nuk e kam bërë këtë. Kam bërë shumë gabime në jetën time, por unë nuk jam vrasës. Ju po e vrisni një njeri të pafajshëm”, tha ai para se të ekzekutohej.

Vendimi për vazhdimin e zbatimit të dënimit me vdekje në nivel federal ka nxitur reagime të ashpra nga grupet për të drejtat civile dhe të afërmit e viktimave të personit të dënuar, të cilët kishin paraqitur kërkesë që ky dënim të mos zbatohej për shkak të pandemisë.

Megjithatë, Gjykata Supreme e ShBA-së, me pesë vota për dhe katër kundër, në orët e vona të natës dha leje për kryerjen e këtij ekzekutimi.

Ekzekutimi i të burgosurve nga sistemi federal apo qendror i drejtësisë amerikane është zbatuar rrallë në dekadat e fundit, që nga kthimi në fuqi në vitin 1988. Sidoqoftë, 25 shtete të ShBA-së ende e kanë në fuqi këtë dënim dhe vitin e kaluar janë ekzekutuar 22 persona.

(Kosova Sot Online)