Pas mbylljes së shkollave, fëmijët afganë punojnë në fushat e drogës

  • A.P /
  • 15 korrik 2020 - 10:23
Pas mbylljes së shkollave, fëmijët afganë punojnë në fushat e drogës

Në provincën Badakhshan të Afganistanit, është rritur numri i fëmijëve që po punojnë në fushat e mbjellura me bimë nga të cilat prodhohet droga. Kjo dukuri ka ardhur si pasojë e mbylljes së shkollave për shkak të pandemisë.

Një fëmijë 10-vjeçar afgan shihet duke punuar në këto fusha me babanë e vet. I pyetur nga gazetari se çfarë bën aty, djaloshi përgjigjet: “Unë mbledh opium.” Më pas, ai pyetet se sa paguhet në ditë për këtë punë dhe përgjigjet: “50 afganë” (rreth 57 centë).

Si ai janë duke punuar edhe shumë fëmijë të tjerë afganë. Një djalosh tjetër tha: “Unë jam në klasën e gjashtë, por shkollat këto ditë janë mbyllur dhe unë nuk kisha punë. Për këtë arsye, erdha këtu për të mbledhur opium në fushat e fqinjëve. Unë vij nga një familje e varfër. Ne nuk kemi tokë tonën.”

I pyetur se sa fiton gjatë ditës, djaloshi i paidentifikuar tha: “Unë i mbledh 20 gramë opium dhe i shes për 100 afganë (1.13 dollarë) dhe i shpenzoj për nevojat e përditshme të familjes”, shtoi ai, shkruan “Free Europe”.

(Kosova Sot Online)