Rivalit kryesor të Lukashenkës i ndalohet pjesëmarrja në zgjedhje, shpërthejnë protestat

  • A.P /
  • 15 korrik 2020 - 10:40
Rivalit kryesor të Lukashenkës i ndalohet pjesëmarrja në zgjedhje, shpërthejnë protestat

Mijëra njerëz në pjesë të ndryshme të Bjellorusisë kanë protestuar dhe janë përleshur me policinë pasi rivalit kryesor të presidentit Aleksander Lukashenka iu ndalua pjesëmarrja në zgjedhjet e muajit të ardhshëm.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi të martën se pesë kandidatë janë regjistruar për zgjedhjet e 9 gushtit, përfshirë presidentin e tanishëm, i cili e ka udhëhequr vendin e Evropës Lindore që nga viti 1994, shkruan “Free Europe”.

Megjithatë, ky komision gjithashtu njoftoi se jashtë listës ka mbetur Viktar Babryka, ish-menaxher bankar, që tashmë ndodhet në burg nën akuza për të cilat ai thotë se janë të motivuara politikisht.

Kryetarja e Komisionit të Zgjedhjeve, Lidziya Yarmoshyna, tha se Babaryka nuk është regjistruar në listën e kandidatëve për shkak se janë gjetur shpërputhje mes të ardhurave të tij dhe deklarimit të pronave si dhe për shkak se një organizatë e huaj ka marrë pjesë në fushatën e tij, ndonëse nuk dha hollësi të tjera.

Nga këto zgjedhje u diskualifikua edhe Valer Tsapkala, biznesmen i njohur dhe ish-ambasador i Bjellorusisë në Shtetet e Bashkuara.

Ndaj këtyre vendimeve ka reaguar shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell. Ai tha: “Përjashtimi në dukje arbitrar i kandidatëve e kufizon mundësinë për popullin bjellorus që ta shprehin vullnetin e tyre dhe tashmë minon integritetin e përgjithshëm dhe natyrën demokratike të zgjedhjeve.”

(Kosova Sot Online)