Mbi 1 milion njerëz mund ta kenë lënë duhanin në Britani

  • A.P /
  • 15 July 2020 - 12:20
Mbi 1 milion njerëz mund ta kenë lënë duhanin në Britani

Më shumë se një milion njerëz mund të kenë hequr dorë nga pirja e duhanit prejse ka shpërthyer pandemia e koronavirusit në Mbretërinë e Bashkuar, thotë një studim i organizatës Aksion për Duhanpirjen dhe Shëndetin, me seli në Londër.

Nga ata që kanë lënë duhanin në katër muajt e mëparshëm, 41% kanë thënë se ky vendim ishte përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj koronavirusit.

Aksioni për Duhanpirjen dhe Shëndetin tha se sondazhi është kryer në periudhën 15 prill – 20 qershor, me një mostër përfaqësuese prej 10,000 personash.

“Mbi një milion duhanpirës mund të kenë arritur ta ndalojnë duhanin qëkur COVID-19 [sëmundja që shkakton koronavirusi] ka goditur Britaninë, por miliona të tjerë kanë vazhduar duhanpirjen”, tha drejtorja e organizatës, Deborah Arnott.

Rreth 7 milionë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar kanë qenë duhanpirës në vitin 2019.

Në një tjetër studim, Kolegji Universitar i Londrës ka konstatuar se më shumë njerëz e kanë lënë duhanin këtë vit, deri në qershor, sesa në çdo vit tjetër, prejse ka filluar sondazhet e tilla në vitin 2007.

Sipas këshillave të Qeverisë britanike, duhanpirësit mund të jenë të rrezikuar nga simptoma më të rëndë të sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi.

(Kosova Sot Online)