Varg sulmesh me thika gjatë natës në Norvegji, vritet një grua, plagosen dy të tjera

  • A.P /
  • 15 July 2020 - 13:50
Varg sulmesh me thika gjatë natës në Norvegji, vritet një grua, plagosen dy të tjera

Një grua ka vdekur dhe dy të tjera janë lënduar pas një serie të sulmeve me thika në orët e vona të natës në jug të Norvegjisë.

Raportimet e para për sulme erdhën pak para mesnatës në qytetin Sarpsborg, që shtrihet në jug të kryeqytetit Oslo, shkruan “BBC”.

Policia e ka arrestuar një qytetar norvergjez të moshës 31-vjeçare, i cili ka të kaluar kriminale. Sipas një deklarate për gazetarë, sulmuesi kishte një marrëdhënie me dy gratë e plagosura, por jo me gruan e vrarë.

Policia njoftoi se viktima ishte në vitet e pesëdhjeta. Një grua tjetër është lënduar rëndë, ndërsa personi i tretë ka pësuar lëndime më të lehta.

Mediet lokale raportuan se në vendin e ngjarjes kanë shkuar policë të armatosur, helikopterë dhe nëntë auto-ambulanca.

Policia e bllokoi qendrën e qytetit dhe përmes rrjeteve sociale kërkoi nga banorët që të qëndrojnë brenda.

Njëra nga gratë u plagos në stacionin qendror të autobusëve, përderisa ishte duke pritur në veturë, ndërsa tjetra u plagos në shtëpi.

Policia i ka nisur hetimet në lidhje me këtë rast dhe ka bërë thirrje që dëshmitarët e mundshëm t’i paraqesin informatat që kanë.

(Kosova Sot Online)