Ministrja e Jashtme reagon për librin “Trashëgimia e Krishterë në Kosovë dhe Metohi” që u pa afër Komisionerit për zgjerim

  • E.K /
  • 16 July 2020 - 20:08
 Ministrja e Jashtme reagon për librin “Trashëgimia e Krishterë në Kosovë dhe Metohi” që u pa afër Komisionerit për zgjerim

Ministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se është përtej skandalit diplomatik ekspozimi i qëllimshëm i librave shovinistë.

Kjo për shkak se në takimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me komisionierin për zgjerim të BE’së, Oliver Varhelyi, është parë edhe libri “The Christian Heritage of Kosovo and Metohija” i një autori serb.

“Është përtej skandalit diplomatik dhe më shumë se provokim dhe anim – takimi i Komisionerit për Zgjerim të BE-së z.Olivér Várhelyi me Vuçiqin, me ekspozim të qëllimshëm të librave shovinistë, me emra që janë derivat i projeksioneve për spastrim etnik dhe pretendime territoriale ndaj shteteve tashmë të pavarura dhe sovrane”, shkroi Haradinaj.

Tutje, ajo tha se projeksione të tilla kanë vdekur bashkë me regjimin gjenocidal të Millosheviqit.

“Projeksionet e tilla kanë vdekur, bashkë me regjimin gjenocidal të Millosheviqit. Këtë duhet t’a ketë të qartë çdo tavolinë, e çdo përfaqësues: Republika e Kosovës është një dhe e pacenueshme. Kosova e 17 Shkurtit nuk preket”, shtoi Haradinaj.

Ka nisur takimi mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit dhe Presidentit serb, Aleksandar Vucic. Ky i fundit pak para kësaj është takuar me komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi, në zyrën e të cilit është parë edhe libri “The Christian Heritage of Kosovo and Metohija” i një autori serb që si duket zyrtarit europian ia ka bërë dhuratë Vuçiq.

Ky detaj mund të shihet edhe në fotografinë që e ka publikuar vet zyrtari i BE’së në Twitter.

Ndryshe, Kosova e Serbia nga sot kthehen në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, gati pas dy vjetëve bllokadë.

Kryeministri Avdullah Hoti ka arritur në ndërtesën e EEAS (shërbimi i jashtëm i BE’së), ku do ta takojë presidentin serb, Aleksandër Vucic me ndërmjetësim të europianëve.

Hoti po shoqërohet atje nga dy zëvendësit e tij, Driton Selmanajn dhe Albulena Balaj – Halimi.

Kryeministri ka arritur në takim pak minuta pas orës 16:00. Në takim si ndërmjetësues nga ana e BE’së është përfaqësuesi special për dialog, Miroslav Lajcak.

(Kosova Sot Online)