Sa pasuri ka deklaruar deputeti i VV’së Jahja Kokaj

  • 17 July 2020 - 15:45
 Sa pasuri ka deklaruar deputeti i VV’së Jahja Kokaj

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Jahja Kokaj po del të ketë goxha pasuri. Vetëm pasuritë e paluajtshme që ka në pronësi kanë vlerë mbi 1 milion euro. Të gjitha shtëpitë e banesat që i ka deklaruar, thotë t’i ketë blerë nga grumbullimi i pagave mujore.

Në regjistrin për deklarimin e pasurisë të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Kokaj ka deklaruar se ka në pronësi shtëpi dhe bibliotekë në vlerë prej 480 mijë euro, shtëpi tjetër në vlerë 140 mijë euro, dy banesa në vlerë prej rreth 80 mijë euro secila dhe një dyqan në vlerë 380 mijë euro.

Si pasuri të luajtshme, ai ka deklaruar një veturë Toyota në vlerë 12 mijë euro, që thotë ta ketë blerë nga të ardhurat mujore dhe veturën e djalit në vlerë 4 mijë e 500 euro.

Në banka ai ka para të gatshme në vlerë prej 14 mijë euro, 43 mijë euro të tjera që ka bashkë me familjarët e tjerë dhe 30 mijë euro të tjera ka bashkëshortja e tij, derisa detyrime financiare ndaj bankave thotë se nuk ka.

Kokaj merr 111 mijë e 468 euro të hyra mujore nga Universiteti i Kuvajtit dhe 1 mijë e 460 euro nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si deputet.

Për gjithë pasurinë që ka, Kokaj në fund të regjistrit ka dhënë edhe një shpjegim se si e ka arritur.

“Fitimet me të cilat është arritë pasuria e lartëshënuar: Të ardhurat mujore janë siguruar nga diaspora: nga Universiteti Carbegie Mellon Pittsburgh, 1990-1992. Të ardhurat mujore nga Unversiteti i Kuvajtit nga viti 1992-2019: + biletat e të gjitha udhëtimeve + mobilimi i banesës në mënyrë periodike + shkollimi i fëmijve në të gjitha nivelet ishin të paguara + 3107 KD (9289 Euro) mujore”, thuhet në regjistrin e publikuar nga AKK’ja.

(Kosova Sot Online)