Detaje nga deklarimi i pasurisë, gruaja e Sveçlës ia merr hua 54 mijë euro borxh vëllaut

  • 17 July 2020 - 15:58
 Detaje nga deklarimi i pasurisë, gruaja e Sveçlës ia merr hua 54 mijë euro borxh vëllaut

Ish-ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë deklarimin e pasurisë në janar të këtij viti në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Ajo që bie në sy në regjistrin për pasurinë e Sveçlës, është vlera e parave që bashkëshortja e tij i ka marrë hua vëllaut.

Bazuar në regjistrin për deklarimin e pasurisë së publikuar nga AKK’ja, gruaja e Sveçlës i ka marrë hua vëllaut të saj rreth 54 mijë euro. Ajo ka edhe një kredi në vlerë prej 2 mijë e 679 euro, të cilën e ka marrë për renovim të shtëpisë dhe shpenzime të tjera.

Në kredi është edhe vetë Sveçla, i cili e ka marrë për të njejtën arsye sikurse bashkëshortja. Vlera e kredisë është 9 mijë e 800 euro.

Vlera e parave të gatshme që kishte në banka deri në janar  ishte 500 euro, derisa bashkëshortja e tij kishte rreth 700 euro të kursyera.

Tek pasuritë e paluajtshme, Sveçla ka deklaruar një shtëpi në vlerë 600 mijë euro, një lokal afarist në vlerë 650 mijë euro, një lokal tjetër afarist në vlerë 600 mijë euro dhe një truall në vlerë 100 mijë euro. Të gjitha këto pasuri thotë të jenë trashëgim nga prindi dhe janë në pronësi të përbashkët.

Ndërkohë, si pasuri të luajtshme ka deklaruar veturën e bashkëshortes në vlerë 4 mijë euro, që është blerë me kredi.

Gruaja e Sveçlës ka aksione 100 për qind në një Ordinancë Specialistike Stomatologjikë, vlera e të cilave është 6 mijë euro.

Ajo  ka të hyra vjetore në vlerë prej rreth 30 mijë euro, të cilat i merr nga një universitet privat, nga ordinance dhe nga Universiteti i Tetovës, derisa Sveçla ka deklaruar si të hyrë vetëm pagën nga Kuvendi në vlerë prej 1 mijë e 560 euro

(Kosova Sot Online)