A do të bashkohen shqiptarët në Maqedoni për ta bërë kryeministrin e parë shqiptar?

  • E.K /
  • 17 July 2020 - 18:34
 A do të bashkohen shqiptarët në Maqedoni për ta bërë kryeministrin e parë shqiptar?

Në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, për herë të parë në histori do të ulen 33 shqiptarë. Rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare të mbajtura më 15 korrik nxorën fitimtare partinë e Ali Ahmetit, BDI-në me 15 deputetë, e ndjekur nga koalicioni mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës me 12 deputetë, PDSH-ja e Menduh Thaçit 1 mandat ndërsa koalicioni “Mundemi” gëzon 5 deputet shqiptarë, 1 i LSDM-së dhe 4 të Lëvizjes Besa.

BDI-ja morri besimin e mbi 100 mijë shqiptarëve të Maqedonisë pasi që ngriti kauzën për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoni të Veriut, pozitë kjo e paprekur asnjëherë më parë nga një shqiptar.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, kujton se nuk ka qenë e lehtë që të thyhen tabutë e të merren pozicionet kyçe në shtet (Kryeparlamentari, Ministri i Mbrojtjes, Ministri i Punëve të Brendshme etj) por thotë se me insistimin e duhur dhe me bashkimin e forcave politike mund të jetësohet edhe ëndrra për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoni.

Ditëve në vijim, sipas informatave që ka siguruar Gazeta Express në Maqedoni, pritet që të takohen krerët e partive politike shqiptare, edhe atë si vend takim mësohet të jetë Kalaja e Shkupit.

Kreu i BDI-së një ditë pas zgjedhjeve ka kontaktuar me të gjithë liderët e partive të tjera politike. Nuk dihet saktë se për çfarë kanë biseduar konkretisht, megjithatë, jo zyrtarisht mësohet se janë koordinuar për takimin që pritet të mbahet.

Kreu i LSDM-së Zoran Zaev para zgjedhjeve tha se nuk do të pranojë kushte të tilla nga BDI-ja (pra kërkesën për kryeministrin e parë shqiptar) dhe se do të kërkonte deputetët e VMRO-DPMNE-së nëse do të ishte nevoja për të bërë qeverinë.

Tani të dy partitë maqedonase, edhe VMRO-DPMNE-ja por edhe LSDM-ja nuk kanë numra të mjaftueshëm për të bërë shumicën prej 61 mandatesh. Të dyja ndajnë nga 46 deputet (LSDM+BESA=46 dhe VMRO-DPMNE + E MJATA=46) dhe në çdo kombinim të mundshëm nuk mund të bëjnë shumicë pa BDI-në nëse nuk shkëmbejnë deputet me njëra-tjetrën, me të vetmin qëllim që mos jetësohet ëndrra për kryeministrin e parë shqiptar.

Në një emision debativ, Ali Ahmeti pak sa me cinizëm tha se nëse partitë maqedonase bëhen bashkë për të mos lejuar një kryeministër shqiptar, atëherë edhe partitë shqiptare do të bëhen bashkë për të marr atë që u takon, duke lënë shumë gjëra për të nënkuptuar!

Partitë politike shqiptare ende nuk kanë reflektuar në kërkesën e Ali Ahmetit për tu bërë bashkë, megjithatë pritet që ditëve të bëhen të qarta vendimet e tyre.

Pasi të kalojnë afatet ligjore që parashihen në Kodin Zgjedhor, Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski do t’i jep mandatin kreut të LSDM-së Zoran Zaev për formimin e shumicës parlamentare për formimin e qeverisë. E nëse Zaev dështon që të bëj mbi 61 deputet në afat 20 ditorë, atëherë mandati i kalon partisë së dytë që në këtë rast është VMRO-DPMNE-ja.

Në opinion qarkullojnë skenarë të ndryshëm për ecurinë e ngjarjeve në Maqedoni, disa prej të cilave edhe jo të këndshme për tu dëgjuar, megjithatë mbetet të shihet se si do të reagojnë liderët dhe partitë e tyre në momente të caktuara, që pritet të jenë jo të lehta për të dy palët.

Sipas burimeve jozyrtare, në opsion mbetet edhe pozita e kryeministrit me rotacion, nga 6-18 muaj për partnerin shqiptarë ndërsa pjese e mbetur e mandatit t’i takojë palës maqedonase.

(Kosova Sot Online)