I infektuari me Covid-19 në shtëpinë e të moshuarve është me simptoma të lehta

  • S.A /
  • 18 July 2020 - 08:01
I infektuari me Covid-19 në shtëpinë e të moshuarve është me simptoma të lehta

Dje është konfirmuar se një banor i shtëpisë së të moshuarve në Prishtinë ka rezultuar pozitiv me koronavirus.

Në lidhje me këtë, foli Mentor Morina nga departamenti i politikave sociale dhe familjare, i cili tha se i infektuari momentalisht është me simptoma të lehta.

“Pas konfirmimit të rastit nga IKSHPK për një rezident që është i vendosur në shtëpinë e personave të moshuar, jemi  mobilizuar i gjithë stafi, e kemi pasur një vizitë, kemi takuar shtabin emergjent brenda kësaj shtëpie dhe jemi interesuar rreth çështjes së klientit dhe për veprimet tjera që duhet të ndërmerren nga stafi i brendshëm dhe të tjerët”.

“Gjendja e tij është ende me simptoma të lehta dhe trajtohet brenda shtëpisë së të moshuarve.

“Duke u bazuar në rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHPK-së, i kemi ndërmarrë masat para disa javësh që të kemi menaxhim sa më të mirë të situatës”.

“Megjithatë, stafi është kujdesur që të përdorë masa mbrojtëse dhe për gjithë klientët që janë të vendosur, gjate këtyre javëve i kemi ndaluar vizitat familjare në mënyrë që të parandalohet rritja e numrit të infektimeve brenda këtij institucioni”.

“Deri me tani s’kemi pasur asnjë rast, ky është rasti i parë, megjithatë kujdesi ka qenë maksimali edhe i stafit. Edhe trajtimi i tyre brenda këtij institucioni është bërë me kujdes të shtuar. Rreziku për t’u infektuar nga jashtë mund të jetë potencial, me kontaktet nga familjet e tyre, etj.”.

“Ne si departament dhe ministri e punës kemi kërkuar testimin e gjithë stafit dhe rezidenteve dhe kjo na është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK dhe nesër do të merren masat për testim dhe bazuar nga rezultati i testimit do të ndërmerren edhe masat e mëtutjeshme”, u shpreh Morina.

(Kosova Sot Online )