Mbi 30 mijë kosovarë janë testuar për COVID-19 që nga fillimi i pandemisë

  • S.A /
  • 18 July 2020 - 08:40
Mbi 30 mijë kosovarë janë testuar për COVID-19 që nga fillimi i pandemisë

Mbi 30 mijë persona janë testuar nën dyshimin se janë të infektuar me koronavirus që nga fillimi i pandemisë në Kosovë. Prej tyre, si të infektuar kanë rezultuar pozitivë mbi 5 mijë e 400.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dje ka publikuar të dhënat e fundit rreth situatës epidemiologjike në vend. Sipas IKShP’së, nga testimi i 459 mostrave, pozitive kanë rezultuar 103 prej tyre.

Instituti ka njoftuar se janë regjistruar edhe gjashtë vdekje.

Me këtë shifër, numri i rasteve të konfirmuara deri tash ka arritur në 5 mijë e 472, me gjithsej 124 raste të vdekjes të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

IKShP’ja ka bërë me dije se dje janë shëruar edhe 95 pacientë.

“Më datë 16 korrik 2020, janë shëruar 95 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 2.640 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.708”, thuhet në njoftim.

Rastet që u konfirmuan dje janë nga Prishtina, Podujeva, Ferizaj, Mitrovica, Drenasi, Prizreni, Gjilani, Vushtrria, Fushë Kosova, Shtimja, Suhareka, Kacaniku dhe Skenderaj.

(Kosova Sot Online )