Rusia: S’kemi nevojë të vjedhim, kemi marrëveshje me Oksfordin për vaksinën kundër Covid-19

  • S.A /
  • 18 July 2020 - 09:51
Rusia: S’kemi nevojë të vjedhim, kemi marrëveshje me Oksfordin për vaksinën kundër Covid-19

Rusia ka mohuar se ka kryer sulm kibernetik ndaj Universitetit të Oksfordit, por ka njoftuar se ka nënshkruar marrëveshje me këtë institucion dhe kompaninë farmaceutike “AstraZeneca” për prodhimin e vaksinës.

Fondi sovran i thesarit njoftoi publikisht për hollësitë e kësaj marrëveshjeje pasi Kremlini u akuzua për përpjekje për vjedhje të të dhënave për vaksinën përmes sulmit kibernetik, shkruan “Daily Mail”.

Britania, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja thanë të enjten se hakerët e përkrahur nga shteti rus janë duke u përpjekur t’i vjedhin të dhënat e hulumtimeve për zbulimin e vaksinës dhe trajtimit kundër koronavirusit nga institucionet akademike dhe farmaceutike rreth botës.

Sidoqoftë, Kirill Dmitriev, kryetar i Fondit për Investime Direkte, tha në një intervistë të premten se Moska nuk ka nevojë të vjedhë sekrete, sepse tashmë ka një marrëveshje me kompaninë “AstraZeneca” për prodhimin e një vaksine të mundshme britanike në Rusi.

“AstraZeneca tashmë ka një marrëveshje me R-Pharm për lokalizimin e plotë dhe prodhimin e vaksinës së Oksfordit në Rusi. Nuk ka asgjë që ka nevojë të vidhet. E tëra do t’i jepet Rusisë”, tha Dmitriev.

Në anën tjetër, vetë kompania “AstraZeneca” nuk e ka komentuar këtë deklaratë, por muajin e kaluar ka njoftuar se është në bisedime me Rusinë dhe disa vende të tjera rreth marrëveshjeve për furnizim me vaksinën e mundshme kundër koronavirusit.

Ndryshe, Rusia më parë ka pretenduar se është duke e zhvilluar vaksinën e vet, për të cilën tashmë raportohet se muajin e ardhshëm do të miratohet nga rregullatori dhe do të jetë e gatshme për një pjesë të madhe të popullsisë në shtator.

(Kosova Sot Online )