Pas konstatimeve me dronë, arrestohet 28 vjeçi që kishte kultivuar fidanët narkotikë

  • E.K /
  • 18 July 2020 - 10:19
Pas konstatimeve me dronë, arrestohet 28 vjeçi që kishte kultivuar fidanët narkotikë

Policia në Shkodër ka finalizuar operacioni policor “Pult”, ku si rezultat i konstatimit me dronë, kapet dhe arrestohet në flagrancë në tentativë për kultivim të bimëve narkotike një 28 vjeçar.

Sipas Policisë së Shqipërisë, pas informacioneve të marra në rrugë operative dhe kontrollit të territorit me dronë, u bë lokalizimi i një shtetasi i cili në një zonë të pyllëzuar në njësinë administrative Pult, kishte hapur një sipërfaqeje toke enkas për të kultivuar kanabis.

“Mbi bazën e filmimeve dhe informacioneve u organizua operacioni policor i koduar "Pult", në kuadër të të cilit pas mbajtjes nën vëzhgim u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë, i shtetasit P. B. 28 vjeç , banues në fshatin Prekal, Shkodër, në tokën që kishte hapur dhe kishte kultivuar fidanët narkotikë. Kontrollet e territorit po vijojnë pa ndërprerje me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të kanabisit”, thuhet në njoftim.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

(Kosova Sot Online)