Fotot e fëmijëve të zhdukur në Kinë vendosen në ambalazhin e shisheve të ujit

  • G.G /
  • 18 July 2020 - 11:26
Fotot e fëmijëve të zhdukur në Kinë vendosen në ambalazhin e shisheve të ujit

Dyqanet dhe ambalazhuesit e ujit të pijshëm  në Kinë kanë vendosur t’u ndihmojnë në mënyrë të pazakontë prindërve që u janë zhdukur fëmijët, duke ua vendosur fotografitë në ambalazh të shisheve, me shpresë se dikush mund t’i gjejë ata.

Në ambalazhe të shisheve, përpos fotografive, janë vendosur edhe të dhënat e fëmijëve të zhdukur. Këto shishe dolën në shitje në një dyqan ushqimor në qytetin Xian, shkruan “Daily Mail”.

Rrëmbimi i fëmijëve është çështje serioze në Kinë. Rreth 200,000 fëmijë të të dy gjinive zhduken çdo vit në këtë shtet.

Sipas një raporti të ri, vetëm 200 fëmijë ose 0.1 për qind pritet të bashkohen përsëri me prindërit e tyre në një periudhë të caktuar gjatë jetës.

Iniciativa për vendosjen e fotografive të fëmijëve të zhdukur në ambalazh të shisheve të ujit është marrë nga një organizatë bamirëse, e cila u ndihmon familjeve që t’i gjejnë fëmijët e humbur.

Në ambalazh gjenden të dhënat për vendin dhe datën e zhdukjes së fëmijës si dhe data e tij apo e saj e lindjes.

Aty shkruhet: “Pavarësisht kush jeni ju, ju lutem na ndihmoni që fëmija jonë të kthehet në shtëpi.”

(Kosova Sot Online)