Pyetjet që i keni bërë vetes në lidhje me përdorimin e maskës, marrin një përgjigje tani

  • G.G /
  • 18 July 2020 - 19:22
Pyetjet që i keni bërë vetes në lidhje me përdorimin e maskës, marrin një përgjigje tani

Ekspertja britanike e higjienës Lisa Ackerley, iu përgjigj pyetjeve që të gjithë ia kemi bërë vetes në lidhje me përdorimin e maskës dhe dha disa këshilla për mbajtjen e maskës të pastër.

Pyetjet dhe përgjigjet i gjeni më poshtë.

Sa shpesh duhet ta laj maskën shumëpërdorimshe?

Kjo varet nga mënyra se si dhe ku e keni mbajtur maskën, por në përgjithësi larja e përditshme do të ishte një zgjedhje e mirë për maskat e ripërdorshme.

Sa shpesh mund ta vendos një maskë njëpërdorimshe përpara se ta hedh?

Maskat njëpërdorimshe duhen hedhur pas çdo përdorimi, por në rast se e keni përdorur për vetëm disa minuta, ju mund ta hiqni me kujdes dhe ta lini për 72 orë para se të përdorni përsëri. Në asnjë mënyrë mos e ripërdorni nëse është e ndotur ose e dëmtuar.

Nëse e përdor maskën më shumë se një herë gjatë ditës, kur e heq, ku mund ta ruaj? Si t’ia bëj që të mos më ndotë çantën?

Pasi ta hiqni me kujdes, paloseni maskën në mënyrë që pjesët e brendshme të prekin njëra mbi tjetrën. Vendoseni në një qese duke i lënë rripat nga sipër, që kur ta nxirrni përsëri të mund ta tërhiqni nga llastikat.

Si t’ia bëj që të ruaj higjienën përpara se ta heq/ vendos maskën dhe a ekziston një mënyrë e veçantë që duhet ta palos?

Gjithmonë lani duart ose përdorni higjienizuesin e duarve përpara se të vendosni një maskë në fytyrë. Mos e tërhiqni maskën mbi fytyrë, por vendoseni njëherë mbi gojë e hundë dhe pastaj lakoni llastikun rreth veshëve.

Nëse keni llojin e maskës me rripa që kalohen pas kokës, mbajeni maskën në vend (para gojës dhe hundës) ndërsa kaloni rripat pas kokës.

Nëse e prekni, lani/ dezinfektoni duart.

Kur ju duhet ta hiqni, dezinfektoni së pari duart, pastaj hiqeni me kujdes, duke mos e tërhequr mbi fytyrën tuaj. Paloseni atë me anët e brendshme së bashku dhe hidheni në kosh, ose nëse mund ta ripërdorni, vendoseni në një qese të pastër siç u shpjegua më sipër. Pastaj lani ose dezinfektoni përsëri duart.

Cila është mënyra më e mirë për ta larë maskën?

Nëse keni disa maska, mund t’i lini për 72 orë para se t’i lani si normalisht, por nëse doni ta lani maskën çdo ditë, atëherë lajeni në 60 gradë.

Nëse dëshironi ta lani me dorë, në vend që të përdorni lavatriçen, një termometër ushqimi do t’ju ndihmonte për të kuptuar kur temperatura e ujit është 60C.

(Kosova Sot Online)