Hoti u përgjigjet PDK’së dhe Presidencës për dialogun: Mos u trazoni, ndarje s’ka, caku njohja

  • G.G /
  • 18 July 2020 - 21:12
Hoti u përgjigjet PDK’së dhe Presidencës për dialogun: Mos u trazoni, ndarje s’ka, caku njohja

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti nëpërmjet një shkrimi në Facebook ka ripërsëritur se nuk do të ketë ndarje të vendit dhe se në krye të dialogut ai synon njohjen reciproke me Serbinë. Ai thotë se në qeverisjen e tij Kosova u rikthyer aty ku e ka vendin, përkrah miqve ndërkombëtar.

“Kjo është qasja jonë në dialog, që është legjitime dhe e vetme. Koha e politikës izoluese dhe e frikës për t’u përballur është tashmë pas nesh”, shkruan Hoti në Facebook.

Në këtë mënyrë ai u përgjigj Presidencës dhe PDK’së që kritikuan qasjen e qeverisë së tij në dialog.

Shkrimi i plotë i Hotit në Facebook:

Askush nuk duhet të trazohet nga normaliteti që po ndërtojmë, sepse është edhe në të mirën e tyre.

Për një muaj, ne e rikthyem Kosovën aty ku e ka vendin, përkrah miqve tanë ndërkombëtarë. Nga një raport i lënduar me BE dhe SHBA, tani kemi mbështetje nga të gjithë për cakun e dialogut, që është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve.

Për një muaj, ne hoqëm nga çdo diskutim temën e integritetit territorial të Kosovës, të cilën më nuk e përmend kush.

Me vendosmëri e guxim, ne e evituam rrugën qorre dhe qasjen izoluese dhe morëm përgjegjësitë shtetërore në dialog. Këtë e bëmë pa hezitim pasi udhëhiqemi nga parimi i ruajtjes së integritetit territorial dhe unitaritetit të shtetit, si dhe nga respektimi i plotë i kushtetutshmërisë.

Kjo është qasja jonë në dialog, që është legjitime dhe e vetme. Koha e politikës izoluese dhe e frikës për t’u përballur është tashmë pas nesh.

Parimet e qarta dhe sinqeriteti ynë përballë partnerëve ndërkombëtarë po na mundësojnë ecjen tonë krah tyre dhe po na sigurojnë garancinë për proces dialogues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Kjo do të jetë një marrëveshje që Kosovës i jep atë që i takon, të qenurit e barabartë dhe e integruar në familjen e madhe euroatlantike. Për këtë ka nevojë populli i Kosovës.

(Kosova Sot Online)