Fillon nxjerrja e të dhënave nga kutitë e zeza të aeroplanit ukrainas të rrëzuar nga Irani

  • E.K /
  • 20 July 2020 - 15:53
 Fillon nxjerrja e të dhënave nga kutitë e zeza të aeroplanit ukrainas të rrëzuar nga Irani

Hetuesit e kanë nisur punën për nxjerrjen e të dhënave nga kutitë e zeza të aeroplanit të udhëtarëve të një kompanie ukrainase, i cili aksidentalisht ishte rrëzuar nga forcat iraniane në janar të këtij viti. Lajmin e bëri të ditur byroja franceze për hetimin e aksidenteve, BEA.

Forcat iraniane kanë deklaruar se e kanë rrëzuar aeroplanin e tipit “Boeing 737” të kompanisë “Ukraine International Airlines” më 8 janar pasi kishin menduar se ai është raketë në kohën e tensioneve me Shtetet e Bashkuara. Të gjithë 176 personat që gjendeshin në fluturimin me numër PS752 kishin vdekur.

Një zëdhënës i byros për hetime tha se puna laboratorike për nxjerrjen e të dhënave nga kutitë e zeza filloi pas një takimi mes zyrtarëve iranianë dhe zyrtarëve të tjerë, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Ky zëdhënës tha se së pari do të analizohet incizuesi i zërit në kabinën e pilotëve, ndërsa më pas edhe të dhënat për regjistrimin e fluturimit, duke shtuar se puna për nxjerrjen e të dhënave pritet të zgjasë së paku deri të enjten.

I tërë procesi është duke u mbikëqyrur edhe nga hetuesit amerikanë, kanadezë, suedezë dhe britanikë si dhe nga përfaqësuesit e kompanisë ukrainase të fluturimeve, kompanisë “Boeing” dhe prodhuesit të motorëve “Safran”.

Në qershor, Irani ishte pajtuar që t’i dorëzojë kutitë e zeza për analiza në Francë, duke i dhënë fund mosmarrëveshjes së gjatë me Kanadanë, Ukrainën dhe Francën. Shumica e viktimave ishin kanadezë ose e kishin Kanadanë si destinacion përfundimtar.

(Kosova Sot Online)