Ministri Selimi për Vettingun: Do të mbështetet nga amerikanët, britanikët, gjermanët, italianët, BE dhe OSBE

  • G.G /
  • 22 July 2020 - 14:43
Ministri Selimi për Vettingun: Do të mbështetet nga amerikanët, britanikët, gjermanët, italianët, BE dhe OSBE

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi sot ka mbajtur një konferencë për media përmes së cilës e ka njoftuar se pjesë mbështetëse e grupit punues për vettingun do të jenë ambasadat amerikane, britanike, gjermane, italiane, Zyra e BE’së në Kosovë dhe OSBE’ja.

“Si tregues dhe dëshmi të përkushtimit të Qeverisë për realizimin e procesit të reformës në drejtësi dhe për të bërë hapa përpara në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës, kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme, ka votuar vendimin për themelimin e grupit punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështje të reformës në sistemin e drejtësisë me qëllim të adresimit të llogaridhënies duke përfshirë edhe vettingun. Pjesë e Grupit Punues, i cili është gjithpërfshirës me qëllim të garantimit të objektivitetit dhe transparencës, do të jenë përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile, të gjithë hisedarët e sistemit të drejtësisë dhe në rolin mbështetës do të jenë përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, Ambasada e Gjermanisë, Ambasada e Italisë, përfaqësues nga Misioni i OSBE-së”, ka thënë Selimi

Selimi ka thënë po ashtu se grupi punues deri në fund të tetorit do ta përgatisë raportin përfundimtar mbi Reformën në Sistemin e Drejtësisë.

“Për të respektuar parimin e inkluzivitetit dhe punën e deritanishme, në vendim është përfshirë edhe grupi sipas vendimit 08/04 të datës 28.02.2020, të cilët i ftoj të jenë pjesë e procesit të dizajnimit të sistemit të llogaridhënies duke përfshire edhe vettingun. Puna e grupit punues është e përkufizuar në kohë – Deri në fund të muajit tetor të këtij viti, ky grup do ta përgatis raportin përfundimtar mbi skenarët e Reformës në Sistemin e Drejtësisë, duke i marrë për bazë edhe rekomandimet e procesit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit.Raporti i grupit punues do të shfrytëzohet si bazë mbi të cilin Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë, në koordinim me akterët tjerë si dhe partnerët strategjik do të procedojnë tutje me reformën. Mbledhja e parë e këtij grupi pritet të mbahet javën tjetër përmes një videokonference”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)