Trump dërgon agjentë federalë në qytetet ku ka rritje të dhunës

  • E.K /
  • 23 July 2020 - 10:13
Trump dërgon agjentë federalë në qytetet ku ka rritje të dhunës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do të dërgojë agjentë federalë në më shumë qytete amerikane, për të ndihmuar në frenimin e krimit.

Trump tha se agjentët do të dërgohen në Allbukërki të Nju Meksikos dhe në Çikago të Illinoisit.

Shumë qytete, përfshirë Nju Jorkun e Filladelfian, kanë parë rritje të krimit, përfshirë dhunën me armë, pas fillimit të protestave mbarëkombëtare për vdekjen e një afrikano-amerikani në duart e policisë në Minesota, në fund të majit.

Protestuesit kërkojnë më shumë përgjegjësi nga policia, ndërsa disa bëjnë thirrje për uljen e buxheteit për policinë ose shkarkimin e departamenteve të policisë në formën e tyre aktuale.

Trump, i cili pritet të garojë për rizgjedhje në zgjedhjet e nëntorit, tha se rivalët e tij demokratë janë shumë të butë ndaj krimit.

“Javëve të fundit ka pasur një lëvizje radikale për të mbrojtur, çmontuar dhe shpërbërë departamentin tonë të policisë”, duke sugjeruar se kjo ka çuar në “një shpërthim tronditës të të shtënave, vrasjeve dhe krimeve të tmerrshme të dhunës”.

“Kjo gjakderdhje duhet të marrë fund“, tha ai.

Disa ekspertë thonë se dhuna në rritje është shkaktuar pjesërisht prej zmbrapsjes së policisë nga lufta kundër krimit, për shkak të një kontrolli më të madh publik.

Krimi në rritje mund të jetë gjithashtu i lidhur me masat e izolimit nga koronavirusi, të cilat kanë bërë që miliona njerëz të mbeten pa punë.

Agjentët federalë janë dërguar tashmë në Kansas Siti dhe Portland, ku veprimet e tyre janë kritikuar nga grupet e të drejtave civile dhe demokratët.

Qytetet si Çikago fillimisht kanë hedhur poshtë ofertat për agjentë, por me përshkallëzimin e dhunës, autoritetet atje i janë drejtuar qeverisë federale për ndihmë.

Në Çikago këtë vit kanë ndodhur 414 vrasje, krahasuar me 275 gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2019.

(Kosova Sot Online)