Mustafa përkujton Manajn: Shumë veprimtarë u vranë gjatë e pas luftës, autorët e nxitësit të dalin para ligjit

  • E.K /
  • 23 July 2020 - 10:53
Mustafa përkujton Manajn: Shumë veprimtarë u vranë gjatë e pas luftës, autorët e nxitësit të dalin para ligjit

Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, në 20 vjetorin e vrasjes ka përkujtuar veprimtarin e LDk’së, Shaban Manajn.

Mustafa ka thënë se Manaj është vrarë në mënyrë tinzare dhe me motive politike, derisa ka kërkuar që përgjegjësit për vrasjen të dalin para ligjit.

“Sot, bëhen 20 vite nga vrasja tinëzare me motive politike, e veprimtarit dhe avokatit të shquar, Shaban Manaj. Shaban Manaj ishte personalitet i veçantë i udhëhequr nga idealet e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, atdhetar, intelektual i mirëfilltë dhe veprimtar, i përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Me plotë meritë u dekorua “Hero i Kosovës”, për kontributin e tij të dhënë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë, në periudhat më të vështira”, ka thënë Mustafa.

Kreu i LDK’së ka thënë se shumë veprimtare të LDK’së u vranë gjatë luftës dhe pas luftës prandaj ka potencuar se si parti kërkojnë që institucionet përgjegjëse të zbardhin këto vrasje dhe që kryersit dhe nxitësit e vrasjeve të dalin para ligjit.

“Populli i Kosovës dhe LDK-ja do t’i përkujtojnë dhe nderojnë Shaban Manajn dhe të gjithë intelektualët dhe veprimtarët që punuan dhe dhanë jetën për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë në Kosovë. Shumë nga këta veprimtarë u vranë nga dora tinëzare gjatë luftës dhe pas luftës, prandaj Lidhja Demokratike kërkon që institucionet përgjegjëse të drejtësisë të zbardhin vrasjet e tyre dhe që kryerësit dhe nxitësit e vrasjeve të përgjigjen para ligjit, për vrasjen e shumë personaliteteve të shquara pas çlirimit në rrethana ende misterioze për popullin e Kosovës”, ka shtuar ai tutje.

(Kosova Sot Online)