Thaçi: Me Serbinë kemi vetëm probleme politike, pas njohjes flasim për gjërat tjera

  • E.K /
  • 24 July 2020 - 10:52
Thaçi: Me Serbinë kemi vetëm probleme politike, pas njohjes flasim për gjërat tjera

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me kryeministrin, Avdullah Hoti, ka thënë se Kosova me Serbinë ka vetëm probleme politike dhe se vetëm pas njohjes reciproke mund hapen për diskutim çështjet tjera të cilat mund të jenë teknike.

Në fjalën e tij par gazetarëve Thaçi ka bërë  thirrje për gjithëpërfshirje derisa ka shtuar se një njeri i vetëm nuk mund ta përmbyllë procesin e dialogut me Serbinë.

Teksa ka komentuar deklarimet e AAK’së dhe NISMA’së rreth emërimit të Skënder Hyseni koordinator, Thaçi ka thënë se ata mbajnë përgjegjësinë për deklarimet e tyre, derisa ka kërkuar unitet sa më të madh të faktorit politik në vend.

“Sa i përket opinioneve të partive politike partnere në koalicion, natyrisht që është në përgjegjësinë e tyre, edhe deklarimet edhe veprimet. Unë veç ftoj që të ketë edhe më tepër unitet dhe të jemi edhe më të bashkuar. Të zgjerohet kjo punë edhe me akterë të tjerë jashtë partnerëve koalicionit, të kemi një përfshirje sa më të gjerë të spektrit politik parlamentar në mënyrë që të japin kontribut të gjithë. Askush vetëm s’mund ta çojë përpara procesin i vetëm. Vetëm të bashkuara kemi pasur sukses, në Ramubje, Vjenë e Bruksel”, ka thënë Thaçi.

“Në këtë drejtim shoh edhe angazhimin e kryeministrit që të kontaktojë me të gjithë”, ka shtuar kreu i shtetit.

Thaçi tutje ka folur edhe për emërimin e Skënder Hysenit, duke përmendur përvojën e gjatë që ka në angazhimin diplomatik.

“Sa i përket emërimit të z. Hyseni, e them atë që e kam thënë ditën kur është emëruar. Z.Hyseni ka përvojën prej 3 dekadash. Ka qenë një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të presidentit Rugova. Ka përvojë edhe të rezistencës paqësore e të angazhimit diplomatik që nga viti 1989/90.

E gjithë kjo përvojë është ndihmuese për spektrin politik. Por e theksoj që askush s’mund ta çojë përpara procesin dhe finalizojnë me njohje reciproke pra jo me çështje teknike. Me Serbinë kemi vetëm çështje politike dhe jo teknike. Pas njohjes reciproke pastaj hapen muhabete dhe tema të tjera si dy shtete të pavarura dhe sovrane”, ka thënë Thaçi.

Presidenti ka thënë se për përmbylljen e procesit me Serbinë është e nevojshme që të ketë unitet dhe të sigurohen 2/3 në Kuvend dhe gjithashtu bashkëpunim i ngushtë me SHBA’në dhe BE’në.   

“Janë dy çështje që të arrihet të përmbyllja e procesit: Unitetit i brendshëm kosovar, pastaj dhe në parlament që duhet t’i kemi 2/3, dhe e dyta bashkëpunimi i ngushtë me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka përfunduar presidenti.

(Kosova Sot Online)