Rusia thotë se s’ka shkrepur armë në hapësirë, akuzon ShBA-në dhe Britaninë për devijim të së vërtetës

  • S.A /
  • 25 July 2020 - 09:18
Rusia thotë se s’ka shkrepur armë në hapësirë, akuzon ShBA-në dhe Britaninë për devijim të së vërtetës

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka thënë se akuzat nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania se Rusia së voni ka testuar armatim anti-satelitor në hapësirë janë devijim i së vërtetës.

“Testimet e kryera nuk kanë krijuar kërcënim për pajisjet tjera fluturuese”, tha kjo ministri, duke shtuar se nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtar me këto veprime, shkruan “BBC”.

Moska më herët ka thënë se ka përdorur teknologji të re për të kryer kontrolle në pajisjet hapësinore ruse.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe thanë se janë të shqetësuara për aktivitetin satelitor.

“Jemi të shqetësuar nga mënyra në të cilën Rusia ka testuar një nga satelitët e saj duke lëshuar nje projektil me karakteristikat e një arme”, tha kreu i drejtorisë britanike të hapësirës.

Edhe Departamenti i Shtetit i ShBA-së tha se e ka vrojtuar përdorimin nga Rusia atë që dukej si armatim anti-satelitor në orbitë.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia pritet që javën e ardhshme të zhvillojnë bisedime në Vjenë për sigurinë hapësinore. Këto bisedime janë të parat e këtij lloji mes dy vendeve që nga viti 2013.

(Kosova Sot Online )