Presidenti Thaçi kujton aksionin në Veri kur u morën pikat kufitare nën kontroll

  • E.K /
  • 25 July 2020 - 11:46
Presidenti Thaçi kujton aksionin në Veri kur u morën pikat kufitare nën kontroll

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka kujtuar aksionin e Policisë të nëntë viteve më parë, kur u morën nën kontroll pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Thaçi përmes një postimi në Facebook, të cilit ia ka bashkëngjitur edhe një video teksa shëtitet me një barkë liqenin e Ujmanit, ka thënë se ky aksion “bëri bashkimin territorial të Kosovës”.

Në këtë aksion, në kohën sa Thaçi ishte kryeministër, ishte vrarë polici Enver Zymeri.

“Aksioni i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në veri, nëntë vjet më parë, siguroi përfundimisht bashkimin territorial të Republikës së Kosovës. Heroi i Kosovës, Enver Zymeri, personifikon sakrificën dhe përpjekjet tona për ruajtjen e integritetit territorial të shtetit tonë. 25 korriku është dita e bashkimit të Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

(Kosova Sot Online)