Qeveria edhe me kërkesë zyrtare për kompaninë Apple, i kërkon t’i njohë kufijtë e Kosovës

  • G.G /
  • 27 July 2020 - 11:00
Qeveria edhe me kërkesë zyrtare për kompaninë Apple, i kërkon t’i njohë kufijtë e Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, përmes një letre i është drejtuar drejtorit ekzekutiv të Apple, Tim Cook, duke kërkuar edhe zyrtarisht nga ai, përfshirjen e Kosovës në hartën e Apple.

Siç ka bërë të ditur vetë ministrja, me një letër të tillë ajo i është drejtuar Apple më 23 korrik, ku ka kërkuar ndërmarrjen e shpejtë të hapave për të “prezantuar me korrektësi Kosovën me kufijtë e pranuar ndërkombëtarisht në shërbimin e AppleMaps”.

Në letrën e saj, Haradinaj-Stublla ka përmendur faktin se pavarësia e Kosovës në kufijtë e saj është e njohur nga mbi dy të tretat e vendeve të botës, përfshirë vende si SHBA, Britania e Madhe, Japonia, Gjermani, Franca, Kanadaja,… si dhe anëtarësimin në institucionet prestigjioze botërore si Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore dhe jo vetëm.

“Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në një opinion këshillëdhënës erdhi në përfundimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 nuk kishte shkelur ligjin ndërkombëtar”, ka shkruar Haradinaj-Stublla, duke kujtuar edhe faktin se platforma si Linkedln, Twitter, Facebook dhe Spotify kanë përditësuar platformat e tyre duke prezantuar Republikën e Kosovës si një vend të pavarur.

Ndryshe, ditë më parë këngëtarja e njohur britanike me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, shkaktoi një varg reagimesh në rrjetet sociale, pasi, fillimisht, e ftoi kompaninë Apple nga profili i saj në Instagram që ta vendosë Kosovën në hartë, ndërsa më pas postoi në Instagram dhe Twitter një fotografi të hartës së “Shqipërisë së Madhe” me mbishkrimin “autochthonous“ (autokton).

Një veprim i saj madje ka nxitur reagime nga përdoruesit e rrjeteve sociale në Serbi.

Ndërkohë edhe këngëtarja tjetër britanike me prejardhje nga Kosova, Rita Ora, ka kërkuar nga Apple që ta përfshijë Kosovën në hartat e saj.

Aktualisht, kufijtë e Kosovës në hartën e kësaj kompanie janë vizatuar me ngjyrë të kuqe të zbehtë, ndryshe nga vendet e tjera që ndahen me një ngjyrë të ndritshme dhe një linjë e trashë.

(Kosova Sot Online)