Hyn në fuqi armëpushimi i plotë në zonën e konfliktit në Ukrainë

  • E.K /
  • 27 July 2020 - 12:58
Hyn në fuqi armëpushimi i plotë në zonën e konfliktit në Ukrainë

Një armëpushim i plotë ka hyrë në fuqi në pjesën lindore të Ukrainës mes forcave ukrainase dhe separatistëve të përkrahur nga Rusia.

Armëpushimi filloi zyrtarisht nga mesnata mes së dielës dhe të hënës, disa orë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, diskutoi me homologun rus, Vladimir Putin, për konfliktin në lindje të Ukrainës.

Të dy liderët shprehën përkrahje për armëpushimin, i cili u arrit në bisedimet mes negociatorëve nga Ukraina, Rusia dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), shkruan “Free Europe”.

Nëse respektohet, armëpushimi do ta shtronte rrugën për zbatimin e pikave të tjera të marrëveshjes së Minskut për paqe, tha zyra e presidentit ukrainas.

Zelenskiy i fitoi zgjedhjet presidenciale vitin e kaluar me premtimin se do t’i japë fund konfliktit në rajonet lindore, Donetsk dhe Luhansk.

Gjermania dhe Franca kanë ndërmjetësuar mes Ukrainës dhe Rusisë që nga nënshkrimi i marrëveshjes së paqes në kryeqytetin bjellorus në vitin 2015, por përpjekjet për zbatimin e saj kanë dështuar.

(Kosova Sot Online)