Mbi 1,200 civilë – përfshirë 340 fëmijë – janë vrarë në Afganistan për gjashtë muaj

  • E.K /
  • 27 korrik 2020 - 13:30
Mbi 1,200 civilë – përfshirë 340 fëmijë – janë vrarë në Afganistan për gjashtë muaj

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Afganistan (UNAMA) ka njoftuar përmes një raporti se 1,282 civilë janë vrarë në këtë shtet vetëm gjashtë gjashtë muajve të parë të vitit 2020. Përpos tyre, gjatë kësaj periudhe janë plagosur 2,172 civilë të tjerë.

Nga sulmet në vendin e rrënuar nga lufta e gjatë kanë pësuar edhe qindra fëmijë. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit u vranë 340 fëmijë dhe u plagosën 727 të tjerë, bëhet e ditur në këtë raport.

“Në kohën kur qeveria afgane dhe talibanët kanë një mundësi historike për t’u bërë bashkë në tavolinën e bisedimeve për paqe, realiteti tragjik është se luftimet po vazhdojnë, duke shkaktuar dëm të tmerrshëm ndaj civilëve përditë”, tha Deborah Lyons, përfaqësuese speciale e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Afganistanin.

Në raport thuhet se përgjegjës për 58 për qind të viktimave këtë vit janë militantët talibanë dhe pjesëtarët e ISIS-it, ndërsa forcat proqeveritare janë përgjegjëse për 23 për qind të civilëve të vrarë ose të plagosur.

Për fat të mirë, shifrat e viktimave dhe të personave të plagosur paraqesin rënie prej 13 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Sipas raportit, kjo ka ardhur kryesisht si rezultat i ndërhyrjeve më të dobëta të forcave ndërkombëtare dhe ISIS-it në konflikte të armatosura.

Një fakt shqetësues është trefishimi i numrit të viktimave civile nga sulmet ajrore të forcave afgane në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit 2019.

(Kosova Sot Online)