Tërmkolli kritikon Hotin dhe Zemajn për menaxhimin e pandemisë

  • G.G /
  • 27 July 2020 - 13:51
Tërmkolli kritikon Hotin dhe Zemajn për menaxhimin e pandemisë

Melihate Tërmkolli nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka pasur disa kritika për bashkëpartiakët e saj, kryeministrin Avdullah Hoti dhe Ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Përmes një reagimi, Tërmkolli ka komentuar sot paraqitjen e kryeministrit Hoti me një maskë me logon e Kosovës.

“Kryeministri Hoti, sot paska ekspozuar një maskë për mbrojtje nga Covid’19, duke vendosur në të logon e qeverisë dhe shtetit të Kosovës! Për t’i vënë “pronësi” vendore virusit apo maskës?!

Në vend të kësaj, do të ishte mirë që Kryeministri, Ministri i Shëndetësisë, Ministri i Punëve të Brendshme dhe tërë Qeveria të fillojnë të punojnë seriozisht në mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve në luftë me Covid’19. Shumë qytetarë po testohen veç kur janë në prag të vdekjes ndërsa rezultatet e testit dalin vetëm pasi të kenë ndërruar jetë! Ku është Ministri i Shëndetësisë”, ka thënë ajo, duke shtuar se janë duke u mbajtur shumë tubime e dasma e policia nuk është duke reaguar.

“Shumë dasma, shumë tubime tjera me numër të madh të pjesëmarrësve, e policia askund! Pas “shtërngimit” të masave nga qeveria, që nga mëngjesi e deri në orën e caktuar të ndalim-qarkullimit, asnjë polic për të zbatuar vendimet! Ku është Ministri i Brendshëm?! Ka edhe shumë e shumë veprime dhe sjellje të tilla. Qytetarët vetëdijesohen kur qeveria e ka “ përnime” vendosjen dhe zbatimin e masave.

Merreni seriozisht këtë punë sepse qytetarët seriozisht po vdesin nga neglizhenca juaj, e ata që janë, përfshirë edhe shumë arsye tjera, seriozisht e kanë që t’ju qojnë në sh’pi nëse po vazhdoni kështu!

Maska edhe mund të jetë vendore por virusi nuk është. Veç një punë e mirë për luftimin e virusit mund të bëhet model “Made in Kosova”, nëse doni e mundeni”, ka thënë ajo.

(Kosova Sot Online)