I dyshuari për vrasjen e vëllezërve në Podujevë tash e nëntë ditë në arrati

  • 27 July 2020 - 15:43
I dyshuari për vrasjen e vëllezërve në Podujevë tash e nëntë ditë në arrati

I dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve në Repë të Podujevës ende nuk është kapur nga Policia. Tash e nëntë ditë, ai ndodhet në arrati.

Se i dyshuari për vrasje gjendet akoma në arrati, e kanë konfirmuar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj, i ka thënë se prokurori i rastit bashkë me Policinë janë duke zhvilluar hetime për sqarimin e plotë të rastit dhe arrestimin e të dyshuarit.

“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, lidhur me këtë rast, prokurori i çështjes në koordinim me Policinë e Kosovës, janë duke i zhvilluar hetimet për sqarimin e plotë të rastit në fjalë, si dhe arrestimin e personit të dyshuar, i cili ndodhet në arrati”, thuhet në përgjigjet e Ulajt.

Ndryshe, vrasja dyshohet të ketë ndodhur shkaku i një tokë, për të cilën të dy palët pretendonin mbi pronësinë e saj.

Policia ka gjetur dhe konfiskuar katër gëzhoja dhe dy vetura në vendin e ngjarjes, derisa pas bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur dhe konfiskuar një armë AK-47, një pistoletë me gas dhe një pushkë gjuetie.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore ku janë gjetë dhe konfiskuar katër gëzhoja dhe dy vetura.Njësit policore kanë kryer bastisjen në shtëpinë e të dyshuarit ku janë gjetur dhe konfiskuar një armë AK-47, një pistoletë me gas dhe një pushkë gjuetie. Me vendim të prokurorit trupat e pa jetë janë dërguar për obduksion”, ka njoftuar Policia përmes raportit 24 orësh.

(Kosova Sot Online)