Dyshohet se mijëra njerëz në Jemen po vdesin nga kolera shkaku i frikës nga Covid-19

  • E.K /
  • 28 July 2020 - 10:36
Dyshohet se mijëra njerëz në Jemen po vdesin nga kolera shkaku i frikës nga Covid-19

Agjencitë e ndihmave kanë paralajmëruar se mijëra njerëz në Jemen mund të jenë duke vdekur nga kolera për shkak të frikës për të kërkuar ndihmë në spitalet e stërngarkuara nga koronavirusi.

Rastet e koronavirusit në shtetin e rrënuar nga lufta pritet ta arrijnë kulmin në javët e ardhshme, por organizata Oxfam ka paralajmëruar se qendrat shëndetësore kanë shënuar një rënie të pashembullt të rasteve me kolerë para reshjeve të gushtit, kur rastet me këtë sëmundje pritet të rriten.

Ndonëse tashmë është duke e përjetuar atë që është përshkruar si kriza më e rëndë humanitare në botë, me rreth 80 për qind të popullsisë që ka nevojë për ndihmë urgjente, Jemeni është gjithashtu duke u përballur me përkeqësim të krizës së ushqimit.

Vendi i Gadishullit Arabik është përballur edhe me përhapjen më të madhe të kolerës në kohën moderne, me 110,000 raste nga janari deri në prill të këtij viti, shkruan “The Guardian”.

Një rënie prej 50 për qind e numrit të njerëzve që kanë kërkuar trajtim për kolerën në tre muajt e fundit ka ngjallur shqetësime se dhjetëra mijëra njerëz po i shmangin qendrat shëndetësore nga frika se mund të infektohen me Covid-19.

Rreth 20 për qind e 333 distrikteve të vendit kanë mbetur pa mjekë dhe numri i tyre po vazhdon të zvogëlohet pas vdekjeve nga koronavirusi.

(Kosova Sot Online)