Prekëse: Rreth 3 miliardë kafshë janë prekur nga zjarret e mëdha në Australi

  • E.K /
  • 28 July 2020 - 11:04
Prekëse: Rreth 3 miliardë kafshë janë prekur nga zjarret e mëdha në Australi

Sipas një raporti, gati 3 miliardë kafshë kanë ngordhur ose janë zhvendosur për shkak të zjarreve të mëdha që e përfshinë Australinë në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti.

Rreth 143 milionë gjitarë, 180 milionë zogj, 51 milionë bretkosa dhe 2.5 miliardë zvarranikë janë prekur nga zjarret që përfshinë sipërfaqe të mëdha të shtetit të largët. Jo të gjitha këto kafshë kanë ngordhur nga flakët, por shkencëtarët thonë se gjasat për mbijetesë nuk janë aq të mëdha për shkak të mungesës së ushqimit, dehidrimit dhe gjahut që pasoi nga kafshët e tjera, kryesisht mace.

Një raport i hartuar nga dhjetë shkencëtarë të pesë institucioneve lë të kuptohet se numri i kafshëve të prekura nga zjarret është shumë më i madh se vlerësimi i mëparshëm prej mbi një miliard kafshëve të ngordhura në këtë fatkeqësi.

Në këtë studim kontribuan shkencëtarët nga Universiteti i Sydneyt, Universiteti i Uellsit të Ri Jugor, Universiteti i Newcastle-t, Universiteti Charles Sturt dhe organizata Birdlife Australia.

“Është vështirë të mendohet për ndonjë ngjarje tjetër në botë në kujtesën e gjallë që ka mbytur ose zhvendosur kaq shumë kafshë. Kjo radhitet në mesin e fatkeqësive më të rënda për botën e gjallë në historinë moderne”, tha Dermot O-Gorman nga Fondi Botëror për Natyrën.

(Kosova Sot Online)