“Me ty e përfundova të lutem rri qatje”, LDK i reagon deputetit të VV’së për shkak të Kujtim Shalës

  • E.K /
  • 28 July 2020 - 15:22
“Me ty e përfundova të lutem rri qatje”, LDK i reagon deputetit të VV’së për shkak të Kujtim Shalës

Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka reaguar pas mbledhjes së sotme të Komisionit për Punë të Jashtme.

Në një komunikatë për media, nga LDK’ja kanë deklaruar se raportimi i Ministres në Komision u ndërpre nga kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme,  Time Kadriaj, pas degradimit të debatit dhe gjuhës së padinjitetshme dhe fyese nga ana e anëtarit të këtij Komisioni, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, në drejtim të nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës,. Kujtim Shala.

“Sot, në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, raportoi Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla, ku morrën pjesë deputetët anëtarë të komisionit, Arben Gashi e Kujtim Shala dhe deputetja Doruntinë Maloku. Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës shpreh keqardhje për degradimin e përditshëm dhe të vazhdueshëm të gjuhës parlamentare dhe dënon ashpër përdorimin e gjuhës së padinjitetshme në Parlamentin e Republikës së Kosovës”, shkruhet në njoftim.

Gjatë mbledhjes së sotme deputeti i LVV’së, Gazmend Gjyshinca iu është drejtuar Shalës së LDK’së, “Me ty e përfundova të lutem rri qatje”.

Pas kësaj deklarate kryetarja e komisionit ka vendosur për mbylljen e mbledhjes.

(Kosova Sot Online)