Madridi i bën të obligueshme maskat në të gjitha hapësirat

  • E.K /
  • 28 July 2020 - 15:40
Madridi i bën të obligueshme maskat në të gjitha hapësirat

Presidentja e qeverisë rajonale të Madridit, Isabel Diaz Ayuso, njoftoi gjatë një konference për gazetarë të martën se përdorimi i maskave në Madrid do të jetë i obligueshëm në të gjitha hapësirat e mbyllura dhe të hapura, përfshirë hapësirat e jashtme të restoranteve.

Numri i njerëzve që mund të mblidhen në hapësirat e jashtme të restoranteve dhe bareve do të jetë i kufizuar në dhjetë. I njëjti kufizim do të vlejë edhe për ndejat dhe takimet private. Masat e reja do të hyjnë në fuqi të enjten, shkruan “CNN”.

“Secili person që merr pjesë do të regjistrohet dhe do të duhet ta dorëzojë numrin e letërnjoftimit dhe telefonit për ta lehtësuar përcjelljen në rast se është e nevojshme”, theksoi zonja Ayuso.

Këshilltari rajonal i Shëndetësisë, Enrique Ruiz Escudero, njoftoi se ditëve të fundit ka ndryshuar shkalla e përhapjes së virusit dhe 500 raste të reja janë shënuar vetëm gjatë fundjavës. Shumica e personave të infektuar janë nën moshën 40-vjeçare.

Presidentja rajonale tha se është e shqetësuar për sjelljen e të rinjve dhe se është e rëndësishme që ata ta kuptojnë se janë bartës të sëmundjes dhe se po e rrezikojnë jetën e të afërmve dhe fqinjëve të tyre.

(Kosova Sot Online)