Florida shënon rekord të shifrës ditore të viktimave të koronavirusit

  • E.K /
  • 29 July 2020 - 09:44
Florida shënon rekord të shifrës ditore të viktimave të koronavirusit

Departamenti i Shëndetësisë në Florida njoftoi se në 24 orët e fundit në këtë shtet të ShBA-së janë regjistruar 191 persona të vdekur nga Covid-19, që është shifra më e lartë deri më tani.

Përpos Floridës, gjendja nuk është aspak e mirë as në Teksas, ku numri i përgjithshëm i personave të infektuar ka shkuar në mbi 400 mijë, duke ngjallur frikë se virusi nuk është nën kontroll dhe duke e shtuar presionin ndaj Kongresit për të miratuar një pako tjetër masive për rimëkëmbje ekonomike.

Ekspertët e shëndetit publik janë të shqetësuar për nivelin e infeksioneve në shtetet si Ohio, Indiana, Tennessee dhe Kentucky, përderisa rritja e numrit të rasteve në Florida, Teksas, Arizona dhe Kaliforni këtë muaj i ka vënë në vështirësi shumë spitale.

Rritja e përhapjes i ka detyruar autoritetet që t’i ndryshojnë vendimet për rihapjen e disa sektorëve ekonomikë pas lehtësimit të masave që ishin vendosur në mars dhe prill për ta ngadalësuar përhapjen e virusit, shkruan “The Guardian”.

Një ditë më parë, Shtetet e Bashkuara shënuan mbi 1 mijë të vdekur nga koronavirusi për 24 orë dhe shifra e përgjithshme e viktimave shkoi në mbi 148 mijë persona, që është numri më i lartë në botë.

(Kosova Sot Online)